Secondary Adv

Pronat shtetërore mbi 70-vjeçare do të verifikohen për interes kulturor

Pasuritë shtetërore me potencial historik, arkitektonik apo arkeologjik do t’i nënshtrohen një procedure të posaçme verifikimi për statusin e tyre kulturor.

Pronat shtetërore që mund të kenë interes kulturor do të identifikohen, dokumentohen dhe përfshihen në lista të posaçme sipas rregullave të përcaktuara në një udhëzim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, të botuar në Fletoren Zyrtare. Akti përcakton kriteret që duhet të plotësojnë pronat, mënyrën e përgatitjes së dokumentacionit dhe procedurën që do të ndiqet pranë institucioneve të trashëgimisë kulturore.


Mbi 70 vjet ose me vlera të mundshme historike


Sipas udhëzimit, në listat për verifikim do të përfshihen pronat që plotësojnë të paktën një prej kritereve të përcaktuara. Një prej tyre është që objekti të jetë ndërtuar ose krijuar më shumë se 70 vjet përpara hartimit të listës. Në proces mund të përfshihen gjithashtu ndërtesa ose prona që paraqesin shenja të vlerave historike, artistike, arkitektonike, arkeologjike ose etnografike.


Verifikimi nuk kufizohet vetëm te mosha e objektit. Në procedurë mund të përfshihen edhe pasuritë që evidentohen në dokumente historike, arkivore, bibliografike ose hartografike, si dhe ato që ndodhen brenda qendrave dhe ansambleve historike, peizazheve kulturore apo zonave arkeologjike.


Procesi mund të nisë edhe me propozim të institucioneve të trashëgimisë kulturore, autoriteteve që administrojnë pronën, pushtetit vendor, komuniteteve lokale ose organizatave të shoqërisë civile.


Për çdo pronë do të krijohet një dosje e detajuar


Listat do të hartohen nga institucioni që administron pronën, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. Për identifikimin do të përdoren dokumentet administrative, teknike, kadastrale dhe historike, si dhe informacionet e siguruara nga verifikimet në terren.


Për çdo pronë do të evidentohen emërtimi, vendndodhja, koordinatat gjeografike, të dhënat kadastrale kur ekzistojnë, institucioni administrues, gjendja fizike, përdorimi aktual dhe informacioni paraprak për vlerat e mundshme kulturore. Listat duhet të përgatiten dhe të ruhen në format elektronik.


Përveç listës, për çdo pasuri do të hartohet një skedë individuale e mbështetur në verifikimin në terren, dokumentacionin teknik dhe kadastral, arkivat historike, fotografitë dhe hartat. Informacioni, sipas udhëzimit, duhet të jetë “i plotë, i saktë dhe i përditësuar”.


Skeda do të përmbajë të dhëna mbi historikun dhe arkitekturën e objektit, ndërhyrjet e mëparshme për konservim ose restaurim, materialet e ndërtimit dhe elementet konstruktive. Do të evidentohen gjithashtu pronësia, sipërfaqja, numri i kateve dhe mënyra e aksesit në pronë.


Do të vlerësohet edhe rreziku nga tërmetet, zjarret dhe përmbytjet


Një pjesë e dokumentimit do t'i kushtohet gjendjes fizike të pronës dhe rreziqeve që mund ta kërcënojnë atë. Skedat duhet të përcaktojnë nëse objekti është në përdorim, përdoret pjesërisht apo nuk përdoret, si dhe nëse është i ekspozuar ndaj tërmeteve, përmbytjeve, rrëshqitjeve, zjarreve, ndryshimeve klimatike apo faktorëve të tjerë.


Udhëzimi përcakton edhe një shkallë klasifikimi për gjendjen strukturore. Objektet mund të kategorizohen nga ndërtesat në gjendje të mirë dhe pa rrezik, deri tek ato që kanë nevojë për restaurim, paraqesin probleme qëndrueshmërie ose janë plotësisht të shkatërruara dhe jashtë funksionit.


Instituti ka 15 ditë pune për kontrollin e dokumentacionit


Pas përgatitjes, listat dhe skedat do t'i dërgohen Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, së bashku me fotografitë, hartat dhe dokumentacionin kadastral të disponueshëm. Instituti ka 15 ditë pune për të kontrolluar nëse dokumentacioni është i plotë dhe në përputhje me kërkesat.


Nëse konstatohen mangësi, institucioni që administron pronën duhet ta plotësojë ose korrigjojë dokumentacionin brenda një afati që nuk mund të jetë më i gjatë se 20 ditë pune. Në raste të arsyetuara, ky afat mund të zgjatet edhe me 10 ditë të tjera. Nëse dokumentacioni nuk plotësohet brenda afatit, procedura mbyllet dhe çdo paraqitje e mëvonshme trajtohet si kërkesë e re.


Kur procedura e verifikimit përfundon dhe ministri përgjegjës e deklaron objektin pasuri kulturore, dokumentacioni përcillet për regjistrim në Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore.


Marrja e statusit të pasurisë kulturore nuk ndryshon pronësinë dhe as institucionin që administron objektin. Prona vazhdon të administrohet nga institucioni përkatës, por pas marrjes së statusit do t'u nënshtrohet detyrimeve, kufizimeve dhe kërkesave të parashikuara nga legjislacioni për trashëgiminë kulturore.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat